Nishani: Reforma në Drejtësi rrezikon degradimin

2018-05-03 0

Ish - Presidenti i Republikës, Bujar Nishani akuzon mazhorancën se po rrezikon degradimin e Reformës në Drejtësi. Ai thotë se opozita ka denoncuar te autoritetet ndërkombëtare mosmiratimin e strukturave të nevojshme për procesin e Vetting -ut. Ky akt, sipas tij vjen pas zgjedhjes si kandidatë për në institucionet e Reformës në Drejtësi të ish - ministrit socialist Ilir Panda dhe Gent Ibrahimit, hartuesit të variantit që u hodh poshtë në 70% të tij nga Komisioni i Venecias.

"Fakti që ata kanë qenë bashkëpuntor të vjetër të kryetarit të hartimit të ligjeve të reformës dje dhe ministër i policisë sot, nuk mund të gjykohet. Ajo do të ishte një paragjykim i një kohe të kaluar. Por konvergimi i vullneteve politike individuale në trekëndëshin polici-prokurori-gjykatë do të ishte një minim i sistemit të së drejtës. Ata politikanë që mendojnë se proçesin e reformës do ta përdorin si vathë për të mbledhur prokuror e gjyqtarë të korruptuar e të kapur për ti përdorur në interesin politik në dhunim të së drejtës dhe ligjishmërisë, kanë bërë një kalkulim fatal".

Nishani thotë se kalkulimet dhe ndërhyrja kokëfortë e pushtetit për të kapur mekanizmin e reformës nuk është gjë tjetër veçse garanci për të korruptuarit dhe të pa aftët, se shërbimi i tyre ndaj të pushtetshmëve është kriteti i vetëm për të vijuar karrierën abuzive. Për ish-kreun e shtetit bashkërendimi opozitar dhe komunikimi praktik me opinionin publik do të ishte mekanizmi më efikas i garantimit të Reformës në Drejtësi.